Site icon Telegrafi

Diaspora kërkon favorizime edhe për investimet e vogla

Ilustrim

Lira Haxhijakupi

Diaspora në shumë raste luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve të origjinës. Përveç dërgimit të remitancave, anëtarët e diasporës gjithashtu mund të nxisin tregtinë dhe investime të huaja, të krijojnë biznese, të nxisin sipërmarrjen dhe të transferojnë njohuritë dhe aftësitë e reja.

Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet të punojnë më shumë që të zbatojnë ligjet që ata kanë krijuar drejt ofrimit të mundësive që diaspora të angazhohet në zhvillimin ekonomik, duke ndërmarrë veprime specifike për të kuptuar se ku dhe kush janë anëtarët e diasporës, të ndërtojnë marrëdhënie të forta me këta anëtarë dhe të lehtësojnë përfshirjen e tyre në vendin e origjinës, pra diaspora të mendohet si partner i zhvillimit.

Për të plotësuar më mirë këtë pjesë të Strategjisë së Diasporës (2019-2023) dhe Planin e Veprimit (2019-2021), Germin organizoi diskutimin virtual në kuadër të projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillimin e Politikave.

Panelistët e këtij takimi ishin Ylli Blakaj – kryetar i Rrjetit të Bizneseve (Austri); Ilir Seferi – përfaqësues i Fondacionit Besa (Gjermani); Jetmir Bakija – anëtar i Bordit në Germin (Kosovë); Flamur Mavraj – Ornio AS (Norvegji); Liza Gashi – drejtoreshë e programeve nga Germin; si dhe Behar Isma – zyrtar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike(MDIS). Moderator i këtij takimi ishte Lulzim Syla – partner menaxhues në Ellen Company (Gjermani).

Behar Isma, zyrtar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) tha se në këtë strategji është punuar direkt me ndihmën e anëtarëve të diasporës dhe se po ashtu përmes këtyre takimeve virtutale pritet që kjo strategji dhe ky plan i veprimit të plotësohet edhe më shumë.

“Ligjet ekzistojnë, mirëpo zbatimi i tyre është tepër i mangët. Pa përfaqësim të diasporës direkt nëpër institucione vendimmarrëse shumë vështirë e kemi të vijmë deri tek rezultatet e prekshme”, ishte fjalia nxitëse nga Yll Blakajt, i cili përfaqëson Rrjetin e Bizneseve Shqiptare për Austri.

“Duhet të koncentrohemi në hapje të shkollave profesionale sepse ka mungesë të fuqisë punëtore profesionale. Shumë investitorë në Kosovë ballafaqohen me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Duhet me një ligj të veçantë të fillojmë shpejtë me këto shkolla, sepse jemi në një nivel shumë të ulët dhe njëkohësisht pastaj ndikon edhe në mungesë të invesimeve”, ishin disa nga rekomandimet e tjera që pasuan nga z.Blakaj.

“Arranzhimi i takimeve B2B edhe në diasporë, e jo vetëm në Kosovë”, një nga kërkesat e adresuara.

Lulzim Syla, moderator i këtij takimi tha se “në gjithë mekanizmat që ka krijuar shteti deri tash duhet të kemi nga një përfaqësues të diasporës në ato takime. Duhet bërë kërkesë në Këshillin Ekonomik Kombëtar, ku mblidhet gjithë kabineti i ministrave përfshirë edhe dikasterë dhe organizata që janë të karakterit ekonomik, si Oda Ekonomike Amerikane, ajo Gjermane dhe Odat tjera ekonomike, pra edhe rrjeti i bizneseve duhet të ketë një përfaqësues ku kërkesat konkrete i adreson në mënyrë shumë profesionale para këtij këshilli.”

“Sa i përket Planit të Veprimit u rekomandua rishikimi edhe njëherë i periudhave te implementimit të aktiviteteve ku prej 25 aktiviteteve 17 prej tyre periudhën e përfundimit e kanë vitin 2023, do ishte mirë të bëhej një ndarje më e mirë, sepse do të vijmë deri aty që në vitin e fundit nuk do realizojmë asgjë, pra të ndahen nëpër vite më mirë dhe viti fundit të jetë për dokumentimin e rezultateve të këtyre aktiviteteve”, u shpreh Flamur Mavraj një nga panelistët.

Gjatë këtij diskutimi u tha që institucionet përgjegjëse duhet të krijojnë kushte dhe favorizime edhe për investimet e vogla, duke marrë parasysh që jo çdo biznes do investojë 30 milionë euro, andaj kuota nuk duhet të jetë e njëjtë si për tekstil, si për ndërtimtari etj.

Krijimi i një platforme online nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e cila do nxiste investimet nga diaspora, ku bizneset e diasporës do të informoheshin për takimet B2B, do të ndihmonte në organizimin e konferencave virtuale përmes kanaleve teknologjike. Po ashtu, përmes kësaj platforme do të paraqiten storiet e suksesit, si dhe mundësia për pyetje të ndryshme për investime në Kosovë.

Strategja duhet të përfshijë edhe politika komunale, po ashtu duhet menduar jo vetëm çfarë Kosova përfiton prej bizneseve por edhe çfarë Kosova ofron si shtet.

Në fund të këtij takimi, zyrtari nga MDIS nuk la pa përmendur se në Kosovë ka avancime , duhet theksuar që në shtetet e Ballkanit jemi të dytit pas Maqedonisë për nga investimet e huaja.

Lira Haxhijakupi është menaxhere e Shkollës së Diasporës në Kosovë, një program multi-disiplinar që ofron GERMIN për profesionistët e rinj. Ajo ka diplomuar në Marketing në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar për një numër institucionesh në Kosovë, përfshirë Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe Trustin e Kursimeve Pensionale në Kosovë. Ka njohuri të gjera në punë me sërë komunitetesh falë angazhimit të saj me një firmë konsultimi në Prishtinë për më shumë se tre vite.
Exit mobile version