Telegrafi

Dialogu me Serbinë, replika mes Haradinajt dhe Kusari-Lila

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi.

Në fjalimin e tij, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kritikoi qeverinë se bisedimet me Serbinë janë kthyer në dialog teknik, transmeton Telegrafi.

“Kjo çështje që ka zgjatur me vite e ka rënduar Kosovën, dhe e ka nxjerrë para sfidave. Jeni të dobësuar Kosovën e duke e bërë të paaftë, vjen ky tekniku prej Brukseli, është e pabesueshme si keni përfunduar si VV në dialog teknik. Mos lejoni më vazhdu më tutje cirku i dialogut të teknikeve”, ka thënë Haradinaj.

Pas Haradinajt, ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila tha se sot nuk është dashtë të bisedohet për dialog, por të dënohet heshtja e Serbisë ndaj Ukrainës.

“Kisha pritur reflektim më serioz në këtë çështje, në vend të shpërfaqin egon e një partie që ka humbur në zgjedhjet parlamentare. Sot do të duhej Kuvendi të mblidhej dhe të dënonte heshtjen e Serbisë ndaj Ukrainës, A mendoni se sot zotëri Haradinaj se qytetarët janë duke na dëgjuar për të parë kacafytjet tua ndaj Qeverisë, ju e keni ftuar seancë dialogun të diskutojmë në një moment të pa moment”, ka theksuar ajo.

Pas saj, ka reaguar sërish Haradinaj, i cili tha se Kusari – Lila është shumë e zonja, pasi që ka ndërruar disa parti.

Seanca është duke vazhduar. /Telegrafi/