Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në mënyrë jo transparente, pasi askush nuk e di saktë se për çfarë po bisedohet dhe çka po arrihet në fund të secilit raund. Madje, serbët lokalë të Kosovës nuk janë prioritet në dialogun e Brukselit, por vetëm interesat e dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës.
Kështu deklaruan deputetë të Kuvendit të Kosovës në debatin “Pritjet e serbëve të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë.
Deputeti i Listës Serbe, Sllobodan Petroviq, tha se ky proces është shumë i nevojshëm, por ka pasur mos transparencë.
“Është i nevojshëm ky dialog. Ajo çka është rasti me këtë proces edhe njëherë po them se është i nevojshëm ky proces, por më duhet të them që nuk ka pasur transparencë sa duhet në këtë proces. Pak kush e di për temat që kanë qenë. As unë si përfaqësues i popullit nuk kam pasur informata për çka po bisedohet. Më tepër jam informuar nga mediat se sa kam pasur informata zyrtare. Duke u nisur nga kjo, ka mundësi për më shumë manipulime dhe nga kjo ka shume konfuzion te qytetarët”, tha Petroviq.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, vlerësoi se serbët lokalë të Kosovës nuk kanë qenë prioritet në dialogun e Brukselit. Por sipas tij, dialogu po përdoret nga Serbia për të shtuar prezencën institucionale në Kosovë, derisa Kosova dëshiron që të jetë një shtet i pranueshëm ndërkombëtarisht.
“Derisa Serbia e sheh dialogun si instrument të rritjes së ndikimit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në anën tjetër Qeveria e Kosovës e sheh dialogun si një instrument mbi bazën e të cilit mund të zgjerojë prezencën dhe pranueshmërinë në Bashkimin Evropian. Për ndryshe, nëse nuk do të ishte interesi i raporteve në BE dhe komunitetin ndërkombëtar goxha jam i bindur se nuk kishim pranuar të bisedojmë me Serbinë. Pra, kemi prioritete të ndryshme dhe në këtë analizë të prioriteteve serbët lokalë nuk janë askund”, theksoi Gashi.
Edhe Jeta Krasniqi nga KDI-ja, theksoi se tani kur po paralajmërohet faza e re e dialogut, pala kosovare duhet të ketë parasysh se qytetarët duan transparencë, pasi deri më tani gjatë këtyre viteve ka munguar transparenca.
“Shqetësimi i qytetarëve, i cili është shpalosur edhe me anë të sondazheve, ka nxjerrë në pah mungesën e thellë të transparencës lidhur me substancën e arritur me këto marrëveshje dhe mbi të gjitha ka vënë në pah hutinë te qytetarët rreth përmbajtjes se çfarë në fakt kanë këto marrëveshje synim të arrijnë”, tha Krasniqi.
Ndërsa, Nenad Maksimoviq nga Organizata për Paqe dhe Tolerancë, u shpreh se problemi në këtë proces është se dialogu është iniciuar nga jashtë, e jo nga brenda, nga vetë palët.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar para gjashtë viteve dhe deri më tani janë arritur disa marrëveshje për fusha të ndryshme./KP/Telegrafi/