Site icon Telegrafi

Dialogu Kosovë-Serbi, sekretari gjerman: Do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme në përfundim të këtij procesi

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, Miguel Berger ka thënë se zgjidhja e konflikti mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt.

“Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Të dyja vendet, dhe i gjithë rajoni, po t nga mungesa e përparimit në zhvillimin dhe stabilitetin e tyre. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Berger.

Në një intervistë për Deutsche Welle, sekretari gjerman shtoi se Lajçak dhe Borrell kanë mbështetjen e plotë të shtetit gjerman për punën që janë duke e bërë në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Berger më tej theksoi se në fund të këtij procesi do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme.

“I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”, u shpreh Berger.

Ai foli edhe për çështjen e trajtimit të së kaluarës të cilën kryeministri Albin Kurti e ka përmendur si parakusht për bisedime të suksesshme me Serbinë.

“Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Përballja me të kaluarën është e mundur vetëm mbi këtë bazë. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën”, tha Berger. /Telegrafi/

Exit mobile version