Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti, në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, foli për skenarët e dialogut me Serbinë dhe rrugën që Kosova duhet të ndjekë për ta finalizuar këtë proces.
Në këtë intervistë, Rashti deklaroi se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje të nënshkruara me laps ne Bruksel. Ndaj sipas tij, ky duhet të jetë mësim për Kosovën që të ndërtojë qasje gjithëpërfshirëse për tri temat e dialogut; çështjen e të pagjeturve, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe paqen.
“Serbia po i ikë marrëveshjeve dhe ky duhet të jetë një mësim për Kosovën – që të ndërtojë qasje gjithëpërfshirëse për tri temat e dialogut. Është e pamundur të zhvillohet dialog vetëm për marrëveshje gjithëpërfshirëse duke u lejuar tensionet në terren, ashtu siç nuk mund të ketë dialog vetëm për çështje teknike pa u diskutuar çështjet e mëdha dhe ato të cilat e rëndojnë opinionin (çështja e të pagjeturve, asociacioni dhe e paqes)”, u shpreh ai.
“Duhet të ndërtohet proces gjithëpërfshirës me tri komponentë. Vetëm kështu mund të ecë procesi përpara. Jam i bindur se zyrtarët francezë dhe gjermanë nuk kanë ndonjë plan, por duhet të ketë shtytje nga Kosova që të ketë plan të tillë. Sepse kështu e bind faktorin ndërkombëtar se ke durim t’i implementosh marrëveshjet e nënshkruara dhe se je i gatshëm për marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Mes tjerash, Rashiti tha se faktori ndërkombëtar nuk do ta mbajë fokusin permanent në dialog, ndërsa shtoi se Kosovës nuk i konvenon që veprimet e faktorit ndërkombëtar të jenë veprime për menaxhim të krizave.
“Sepse krizat po zhvillohen në Kosovë dhe rreth saj. Dialogu ka filluar për lehtësimin e jetës dhe qarkullimit të qytetarëve, por po bëhet pengesë. Pra, po bëhet instrument politik për rritjen e tensioneve. Qeveria me të drejtë e thotë se Serbia nuk do marrëveshje. Vuçiqi së fundmi e ka dëshmuar se nuk do asnjë lloj marrëveshje të nënshkruar me laps në Bruksel me Kosovën”.
“Shoqëria kosovare është lodhur dhe ka nevojë që temat e dialogut të mos jenë çdo herë kryesoret. Nuk do të doja të kemi një proces ku ka intervenim amerikan. Duhet të jetë një qëllim, për një afat të caktuar të përmbyllet dialogu me Serbinë ose të mos jetë më temë kryesore”. /Telegrafi/