Të hënën më 19 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel, në raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.
Nga zyra për media e BE-së, kanë konfirmuar për Telegrafin se takimi do të mbahet të hënën.
“Ne mund të konfirmojmë se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë do të zhvillohet të hënën më 19 korrik në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të përqendrohet, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve, që janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.
Takimi do të nis në orën 14:00 të pasdites, ku delegacionet e të dyja vendeve së pari do të takohen me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.
Gjithashtu është bërë e ditur se do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së në fillim të takimit dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 18:00).
Para këtij takimi që do të mbahet të hënën, ekipet teknike të Prishtinës dhe Beogradit u takuan për tri ditë në Bruksel me të dërguarin e BE-së në dialog Mirosllav Lajqak. Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, që udhëheq delegacionin kosovar në bisedime, pala kosovare ka paraqitur sipas tij, vërejtjet rreth kërkesës së palës serbe për asociacionin.
Kujtojmë se Kurti e Vuçiq, u takuan më 15 qershor në Bruksel, po nuk arritën ndonjë përparim. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sërish kërkoi që “Kosova të përmbushë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa kryeministri Kurti thotë, se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës” dhe në vend të asociacionit propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Në takimin e fundit të 15 qershorit, kryeministri Kurti bëri katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”. /Telegrafi/