Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor.
Kështu ka njoftuar të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Raundi tjetër i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet të martën e ardhshme më 15 qershor, ku do të takohen presidenti Aleksander Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Stano.
Sipas tij, këto takime do të ndërmjetësohen nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell dhei dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndryshe, në vitin 2013 në Bruksel është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërkaq në vitin 2015 është arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.
Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet e marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Kurti duke folur rreth Asociacionit, ka thënë ditë më parë nuk do të ketë asociacion njëetnik, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte shprehur se Kurti nuk ka nevojë të shkojë fare në Bruksel nëse nuk dëshiron të bisedojë për Asociacionin.