Site icon Telegrafi

A do të diskutohet draft-statuti i Asociacioni? Bislimi dhe Petkoviq sot përballen në Bruksel

Foto: Arkiv

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit, ndërkaq do të takohet me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.

Siç thuhet në njoftimin e Kryeministrisë, Bislimi do të marrë pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut, ku do të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara i 21 tetorit.

“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”, thuhet në njoftim.​

Ndërkaq, ditë më parë drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka deklaruar se kanë pranuar ftesën për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut, i cili do të mbahet këtë të enjte në Bruksel.

Petkoviq në një konferencë për media pas takimit mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe emisarit Mirolsav Lajçak, është shprehur se në këtë takim do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne kemi pranuar ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe po shkojmë me një ekip të posaçëm ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së Komunës Serbe”, ishte shprehur Petkoviq. /Telegrafi/

Exit mobile version