Telegrafi

Dialogu asimetrik ka përfunduar, Kurti: RKS janë tabelat e Kosovës, opsionet për prodhimin e targave neutrale për vetveten nuk vijnë në konsiderim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ndërsa theksoi se dialogu asimetrik ku Kosova më parë është temë sesa palë, nuk ngjan më në Bruksel.

Ai në deklaratën para gazetarëve theksoi se në takimin me dy emisarët do të shohë nëse ka opsione tjera, të reja.

“Dialogu asimetrik kur Kosova më parë temë sesa palë, nuk ngjan më në Bruksel. Ky është dallim tektonik, për të mirë.

E dyta, duhet ta shohim takimet e sotme a kanë opsione të tjera, të reja.

Opsionet kur Kosova duhet që të prodhojë targa neutrale për vetveten nuk vijnë në konsiderim. Me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar nuk mund të ketë prodhimtari, status neutrale në Republikën e Kosovës. RKS janë tabelat e Kosovës dhe kjo është në përputhje madje edhe me zotimet e Beogradit në Bruksel”, tha kryeministri në konferencë, raporton Telegrafi.

Ai tha se opsionet për targa neutrale karshi targave të Kosovës kanë qenë nga ndërmjetësi Lajcak.

Ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë, Kurti lidhur me çështjen e targave KS, tha se nuk mund të rikthehen më në qarkullim.

“Në marrëveshjen e vitit 2018 vetë presidenti i Serbisë presidenti i Serbisë si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale, si dhe ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme vetëm deri në shtator të vitit 2021.

Ata që i kanë konvertuar veturat e tyre gjatë periudhës janar 2017- janar 2018, po ashtu e kanë ditur këtë dhe rrjedhimisht që nga shtatori i vitit 2021 i kanë konvertuar këto targa nga KS në RKS pa asnjë incident të vetëm. Edhe tek konvertimi i deritanishëm i targave edhe tek lëshimi i atyre 2679 dokumenteve hyrje-daljeve përgjatë 19 orëve të së hënës së 1 gushtit nuk kemi asnjë incident dhe asnjë ankesë.

Targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie e prej këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, se njëri prej opsioneve ka qenë që ne të prodhojmë targa neutrale”, ishte shprehur Kurti. /Telegrafi/