Telegrafi

Di Maria mund të pezullohet deri në tri ndeshje moslojë

(Foto: Screenshot/Twitter/B/R Football)

Eksperti i referimit, Luca Marelli, ka shpjeguar pse Angel Di Maria mund të pezullohet më shumë se dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq që mori në ndeshjen ndaj Monzas.

Argjentinasi u përjashtua nga loja në U-Power Stadium të dielën, për shkak të goditjes me bërryl pasi ishte mbajtur nga një lojtar kundërshtar.

Ky veprim i tij pritet ta lë dy ndeshje jashtë fushe, që do të thotë se ai do të mungojë ndaj Bolognas dhe Milanit pas pushimit për ndeshjet e përfaqësueseve.

Megjithatë, Marelli ka thënë për DAZN se ekziston rreziku që Di Maria të suspendohet me tri ndeshje.

Lexo po ashtu Juventusi pëson nga Monza, regjistron humbjen e parë në Serie A

“Përkufizimi i kësaj ndërhyrjeje është interesant. Quhet ‘sjellje e dhunshme’ edhe nëse topi është në lojë. Pezullimi minimal është dy ndeshje, por më pas duhet të shqyrtojmë një aspekt tjetër. Para se të largohej nga fusha, Di Maria i tha diçka gjyqtarit, i cili dukej i habitur dhe i zemëruar”.

(Foto: Screenshot/Twitter/B/R Football)

“Është ende e paqartë se çfarë tha ai, por nëse ishte diçka mosrespektuese, atëherë gjyqtari sportiv mund ta dënojë atë me tri ndeshje moslojë dhe jo me dy”, ka shpjeguar eksperti i referimit.

Lexo po ashtu Notat e lojtarëve: Monza 1-0 Juventus, zhgënjen Di Maria

Nëse suspendohet me tri ndeshje, atëherë anësori do të mungojë edhe në Derby della Mole ndaj Torinos më 15 tetor. /Telegrafi/