Ish-kapiteni i Lazios, Paolo di Canio, beson se Christian Pulisic mund të shpërthejë te Milan.
Anësori i Chelseat është afër nënshkrimit për kuqezinjtë, pasi dy klubet tashmë kanë arritur marrëveshje dhe mungon vetëm zyrtarizimi.
“Pulisic është i mirë, ai mund të luajë si mesfushor sulmues, por jo si mesfushor sulmues midis krahëve. Ai është shumë i mirë me topin, në driblime direkte, në shkëmbime të shpejta me shokët e skuadrës”, ka thënë Di Canio.
“Ai nuk është një super golashënues, 20 gola në 93 ndeshje për Chelsean nuk janë shumë, por ai është dikush që jep vazhdimësi të performancës kur është aq i mirë sa ishte në dy vitet e tij të para në Chelsea, ndërsa në dy të fundit ai vuajti shumë”.
“Christian është një djalë shumë i mirë dhe i sjellshëm, por nëse ai goditet nga lëndimet rrezikon ta humbasësh për disa javë. Po flasim për të sikur të ishte një i moshuar për t’u rehabilituar, ka luajtur për shumë vjet por ai është ’98-sh, mbush 25 vjeç në shtator dhe ende mund të shpërthejë”.
“Në kampionatin italian ai do të jetë në gjendje të bëjë edhe më mirë sepse është një kampionat me më pak ritëm. Milani është një ekip që dëshiron të luajë futboll, që dëshiron të ofrojë futbollin e tij përmes manovrave”, ka shtuar më tej ai. /Telegrafi/