Site icon Telegrafi

Dhurata Lipovica: Kjo është arsyeja pse e ndërpreva karrierën si modele (Foto)

Modelja e njohur Dhurata Lipovica ka qenë temë e mediave së fundmi, kjo pasi lajmi për ndërprerjen e karrierës së saj si modele ka qenë i befasishëm për shumicën prej fansave.

Ajo kishte publikuar një fotografi në llogarinë personale në Instagram, teksa ka lënë edhe një mesazh krahas saj “A do të jetë kjo performanca ime e fundit përgjithnjë?”, gjë që menjëherë la të kuptohet se po mendon t’i jap fund karrierës në fushën e modelingut.

Në një bisedë për Telegrafin, modelja e njohur ka sqaruar se lajmi për largimin e saj është i vërtetë pjesërisht, pasi ajo ka ndërprerë këtë aktivitet për momentin, nga që janë bërë tashmë disa vite punë intensive në këtë drejtim dhe mendon të zhvendosë vëmendjen diku tjetër.

“Në tetor të vitit 2016 janë bërë fiks 10 vite që nga përzgjedhja ime si supermodele. Që nga ajo ditë unë edhe pse kam pasur obligime të shumta si grua, si nënë e dy fëmijëve, unë nuk kam ndaluar së zhvilluari karrierën apo më mirë të them pasionin tim për modelizmin. Mendoj që vjen një kohë kur kërkon më shumë nga vetja dhe patjetër që do të jap shumë më shumë nga vetja, por këtë do ta jap në një forme tjetër, që është përmes agjensionit tim ‘Model MNG'”, ka thënë ajo.

E pyetur se pse ka vendosur të marrë kaq papritur një vendim të tillë, Dhurata më tej tregon se nuk e ka menduar përfunimisht largimin prej pasarelave.

“Nuk është se kam marrë ndonjë vendim definitiv, por jam duke e konsideruar që të largohem nga aktivitetet e modës që më përfshijnë mua si person. Angazhimet e shumta në jetën personale, angazhimi i ri si moderatore në televizion, angazhimi në agjension dhe projekte të tjera në njëfarë mënyre po ma inponon të tërhiqem ngadalë për të ju lënë hapësirë edhe obligimeve të tjera”.

Modelja e njohur gjithashtu ka treguar edhe për aktitivitetet tjera me të cilat merren, e që disa prej tyre janë edhe me bashkëshortin e saj, si prezantimi në televizion.

“Momentalisht jam shumë e ngarkuar me punë. Tash e pesë vite punoj në një projekt që ka të bëjë me Shëndetësi, ndërsa së fundmi kam filluar të punoj në televizionin ‘Tribuna Channel’ ku së bashku me bashkëshortin, aktorin Fisnik Ademi, e drejtojmë një emision për kuzhinë i cili quhet ‘Si n’Shpi’. Për të mos harruar edhe agjensionin ‘Model MNG’ nga unë, i cili shumë shpejt do të sjell risi në fushën e modes”, ka përfunduar Dhurata. /Telegrafi/

Familja e modeles dhe aktorit Fisnik Ademi.

 

Exit mobile version