Rap-artisti i njohur nga Shqipëria, Arkimed Lushaj – Stresi është liruar në orët e para të datës 15 qershor.
Pikërisht në këtë datë, ai feston edhe ditëlindjen e tij të 31-të dhe me këtë rast siç shprehet ai, ka marrë një prej dhuratave më të mira në jetën e tij, pra lirinë.
I njëjti ka publikuar në rrjetin social Instagram një video, nga momenti kur ai lirohet nga qendra e burgimit në Fushë-Krujë.
Teksa përshëndetet me gardianët, Stresi afrohet pranë daljes kryesore, duke u pritur me brohoritma dhe duartrokitje të shumta nga miqtë dhe familjarët.
Prindërit e tij, e fejuara Keisi, kolegia e tij këngëtare Baby G dhe shumë të tjerë, ishin të pranishëm gjatë lirimit të tij.
“Nuk thyhem para sfidave çfarëdo qofshin ato dhe sot në orën 00:00 me familjen time ,miqtë dhe të afërmit ditëlindjen time e ndaj me ju sepse ju më ishit pranë gjithmonë në kohë të mira dhe të vështira. Dhurata më e mirë qe mora për ditëlindje ishte LIRIA !! I juaji Arkimed Lushaj (Stresi)”, kanë qenë fjalët e reperit në Instagram.
Ndërkohë të shumta kanë qenë edhe komentet nga ana e fansave, të cilët e kanë uruar atë për ditëlindje dhe për daljen nga burgu.
Vendimi për lirimin e Stresit u mor në një seancë të mbyllur gjyqësore, të mbajtur në gjykatën e Tiranës. /Telegrafi/