Dhurata Ahmetaj së shpejti do të publikojë projektin e saj më të ri muzikor, këngën dhe klipin “D”.
Në një prononcim për Telegrafin, këngëtarja ka rrëfyer detajet rreth kësaj kënge pranverore, e cila është punuar me një përkushtim të madh.
“Sapo kam përfunduar përgatitjet për projektin e ri. Normalisht që një projekt muzikor do përkushtim të madh deri në ditën e lansimit, por gjithçka bëhet më e lehtë kur punon me njerëzit e duhur. Kënga është krijim i Yll Limanit dhe studios Room6”, tha Dhurata.
“D” nga titulli duket si një projekt dedikues ndaj dikujt, mirëpo Dhurata për Telegrafin zbulon se kënga e re si çdo projekt tjetër i saj, ka diçka nga jeta reale, mirëpo nuk do të thotë plotësisht dedikim.
“Secila këngë ka diçka nga jeta reale, por nuk do të thotë që është jeta ime reale nëpër këngët e mija”, tregoi këngëtarja Ahmetaj.
Ditë më parë kanë përfunduar edhe xhirimet e skenave të fundit me produksionin Imagine Films. Këngëtarja do të shfaqet mjaft bukur dhe e kuruar në detaje në klipin e ri, gjersa për këtë pjesë ajo tregon se xhirimet kanë shkuar fare mirë, pa lodhje, dhe tani pritet vetëm finalizimi i klipit.
“Pasi që kalon një pjesë të madhe duke u marrë me muzikë kalitesh dhe të bëhet gjithçka pjesë e jetës. Por, përkundrazi nuk ndjej aspak lodhje duke e bërë atë që e dua, e sidomos po e them prapë, kur rrethohesh nga njerëzit e duhur, ndaj u jam mirënjohëse Imagine për klipin”, shtoi më tej Dhurata.
E pyetur për pritshmëritë që ka për këtë projekt të ri, Dhurata u shpreh duke treguar se shpreson që kënga të mirëpritet nga publiku, pasi “D” është vetëm fillimi. Gjatë muajve të nxehtë do të kemi sërish diçka të re nga ajo.
“Kam punuar me shumë dashuri dhe vullnet të mirë dhe gjithçka që bëhet me dashuri është e bukur, pritshmëria ime është që të pëlqehet nga përkrahësit e mi çdo lansim i imi. Dhe sigurisht që do të ketë dhe diçka të re edhe për muajt e nxehtë”, përfundoi këngëtarja për Telegrafin.
Në vazhdim ju njohim me disa prej skenave të klipit më të ri të Dhurata Ahmetajt, “D”, i cili e sjell ‘mbretëreshë’ në projektin e saj të ri. /Telegrafi/