Rastet e sulmeve, ngacmimeve dhe dhunimeve seksuale kohëve të fundit janë shtuar në Kosovë.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar tri raste të dhunimit, dy në Gjakovë dhe një në Ferizaj.
Në Gjakovë viktima të dhunimit ishin dy të mitura, kurse në Ferizaj viktimë ishte një grua.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se viktima nga Ferizaj është dhunuar nga ish i fejuari i saj.
“Viktima femër kosovare ka njoftuar se ish i fejuari i saj, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërkaq nga Prokuroria e Ferizajt kanë bërë të ditur për Telegrafin se ndaj të dyshuarit tashmë është bërë kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një (1) person, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”. Ndaj të njëjtit është bërë kërkesa për caktim të masës së paraburgimit”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Vjosa Baftiu. /Telegrafi/