Një grua nga Prishtina ka raportuar në polici se është dhunuar nga dy persona.
Sipas raportit të policisë thuhet se rasti ka ndodhur më 13 janar të këtij viti.
“Prishtinë 13.01.2023 – 22:30. Ankuesja femër kosovare ka informuar se dy persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj saj. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar policia.
Lidhur me këtë rast, Telegrafi ka pyetur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për veprimet e ndërmarra.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj në një përgjigje me shkrim ka thënë se janë duke e hetuar rastin dhe se nuk mund të japin më shumë informacione.
“Lidhur me pyetjet e juaja, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë veprime hetimore. Në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, ka thënë Ulaj.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar dhunimi i një 11 vjeçare në Prishtinë kishte nxitur reagime të shumta, ku madje u mbajtën edhe protesta.
Për rastin ka dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.
Në Prishtinë, Tiranë e Shkup u mbajtën protesta pas këtij rasti ku u kërkua mbrojtja e vajzave dhe grave.
Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, dhe dënim për kryerësit e këtyre veprave.
Rastet e dhunimit në Kosovë, viteve të fundit janë shtuar dukshëm. /Telegrafi/