Presidenti Ilir Meta dënoi të shtunën dhunën e ushtruar ndaj një të mituri nga policia e Tiranës vetëm se ai kishte thyer kufizimet e lirisë së lëvizjes.
Përmes një postimi në Facebook, Presidenti e cilësoi dhunën “sjellje joprofesionale dhe shproporcionale”.
“Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e policisë duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit,” – theksoi Meta teksa i bëri thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të ngarkojnë me përgjegjësi ligjore abuzuesit.
Presidenti përfitoi nga rasti t’i kujtojë policisë që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes me zbatimin e ligjit dhe misionit të saj duke pasur parasysh liritë dhe të drejtat e njeriut.
Pasditen e së premtes policia dhunoi një 15-vjeçar, i cili po lëvizte me biçikletë dhe nuk iu bind urdhërave për t’u ndaluar.
Të paktën 4 policë, njëri prej të cilëve drejtues i lartë, e rrëzuan atë përtokë duke e prangosur dhe goditur disa herë.
Pas ngjarjes dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale, policia njoftoi të shtunën se kishte pezulluar një nga policët./euronewsal/