Site icon Telegrafi

“Dhuna në protesta e nxitur nga politika” (Video)

Ministria e Brendshme duhet ta monitorojë situatën në terren dhe të mos bëjë dallim se kush organizon protesta. Ky është vlerësimi i ekspertëve, pas kritikave se ky dikaster nuk mbulon si duhet me policë protestat e mbështetura nga OBRM-PDUKM-ja, siç vepronte me protestat e “Revolucionit të laraman”, kur kishte prani të automjeteve të blinduara dhe pjesëtarë të Njësive speciale. Sipas ish-shefit të MPB-së Lubomir Gjurçevski nuk mund të ketë vlerësim të lirë se si do të zhvillohen protestat, ndërsa qytetarët në çdo moment duhet të jenë të mbrojtur.

“Ekspertët në Ministrinë e Brendshme, sidomos eprorët e Byrosë për siguri publike, ku unë besoj se ka profesionistë shumë të mirë, duhet realisht ta ndjekin gjendjen dhe nuk guxojnë të bëjnë vlerësime mbi bindjet e tyre politike apo përkatësinë e tyre politike”, deklaroi për Alsat-M Ljubomir Gjurçevski, ish-kryeshef i MPB-së.

Për ish njeriun e parë të policisë Pavle Trajanov, Ministria e Brendshme duhet të përdor të gjitha masat e persekutimit ndaj atyre që në mënyrë aktive nxisin krizë të sigurisë në vend.

“Ka gjasa që këto protesta të shfrytëzohen vetëm për bllokimin e Parlamentit që ky i fundit të mos mund të funksionojë me kapacitet të plotë. MPB-ja ka sistem, ka kapacitete dhe njerëz të mjaftueshëm për të parandaluar konflikt me përmasa më të gjera dhe t’i mbrojë institucionet shtetërore, ky është obligimi i tyre”, deklaroi Pavle Trajanov, ish ministër i Brendshëm.

Ditëve të fundit në disa qytete të Maqedonisë janë duke u mbajtur protesta të të ashtuquajturës iniciativë qytetare “Për mbrojtjen e Maqedonisë” me retorikë të fortë për mbrojtjen e, siç shprehen, “Interesave shtetërore dhe kombëtare”. Në protestën e tyre në Shkup ditë më parë u sulmua një ekip i gazetarëve, ndërsa u shënuan edhe disa incidente të ndara në Shkup. Nga MPB nuk u përgjigjën se cili është vlerësimi i tyre për gjendjen e sigurisë në Maqedoni./Telegrafi/

Exit mobile version