Telegrafi

Dhuna në Francë, deputeti Eric Ciotti krahason “rrugët e Dijon” me “ato të Kosovës”

Gjatë komentimit të një dhune të fundit në rrugët e qytetit francez Dijon, një deputet francez ka përmendur si shembull të keq Kosovën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për deputetin e “Les Republicains”, Eric Ciotti, i cili ka përshkruar dhunën në komunitet për disa ditë në Dijon.

Siç ishte bërë e ditur më herët, në këtë qytet kishin ndodhur “qërim hesapesh mes dy bandave të armatosura”, gjë e cila supozohet se filloi kur një çeçen 16-vjeç është rrahur gjatë javës së kaluar, e në gjithçka ishin përfshirë dilerët e drogës.

Për t’u hakmarrë, më shumë se 200 çeçenë kanë sulmuar një bar, duke kërkuar personat përgjegjës, e për t’ju dalë në ndihmë bashkëkombësve.

Lexo po ashtu Qërim hesapesh mes bandave çeçene në qytetin francez, gjithçka filloi për shkak të një adoleshenti – gjatë përleshjes përdorën armë e shkopinj bejsbolli

Sipas raportimeve, dhuna u zgjerua në tërë qytetin Dijon ku janë djegur edhe vetura të shumta.

Dhe lidhur me këto zhvillime, Ciotti ka thënë: “Ne nuk mund të lejojmë që kjo luftë bande të lulëzojë. Duket si një teatër lufte…”, denoncoi deputeti për “ekspeditat ndëshkuese” të kryera që nga e premtja nga anëtarët e komunitetit çeçen.

Por ai nuk është ndalur me kaq.

“Duket se rrugët e Dijonit ishin si ato të Kosovës, me bandat e armatosura që reklamojnë kallashnikov. Këto janë imazhe marramendëse që shënojnë një fazë në përkeqësimin e situatës së sigurisë në vendin tonë”, citohet të ketë thënë Eric Ciotti. /Telegrafi/