Site icon Telegrafi

Dhuna në baza gjinore, Kurti: Duhet angazhim i gjithmbarshëm që të mos lejojmë të kemi as edhe një viktimë më shumë

Në shënim të 74-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut e në ditën e fundit të “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, kryeministri Albin Kurti, theksoi se me angazhimin e pashoq, të palodhshëm e të pakursyer të Ministrisë së Drejtësisë, e cila e ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore si një nga 5 objektivat strategjike të saj, Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Fjalën e tij, Kurti e kishte filluar duke numëruar emrat e grave dhe vajzave që janë vrarë nga partnerët e tyre.

Ai u shpreh se dhuna kundër grave e vajzave nuk është dukuri vetëm në shoqërinë tonë dhe se për fat të keq, secilin vit, në secilin shtet, ku më shumë e ku më pak, gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të burrave të frustruar e të dhunshëm.

“Studimet tregojnë që në botë një në tri gra përjeton dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga partneri i saj. Ajo ua pamundëson atyre pjesëmarrjen e plotë në shoqëri, i prekë familjet e tyre, komunitetin e përbashkët por edhe shtetin në tërësi, theksoi më tej kryeministri.

“Andaj duhet adresuar së bashku. Vetëm me punë e aktivizëm të përbashkët mund të ndryshojmë mentalitetin shoqëror. Për këtë na nevojitet solidaritet kombëtarë e solidaritet ndërkombëtarë”, tha ai.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti gjithashtu u shpreh se mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore janë themeluar dhe tani po funksionojnë, por se krahas përgjegjësisë profesionale në institucionet tona, duhet rritur përpjekjet e veprimet e përbashkëta në luftë kundër dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore.

“Si shoqëri me vetëdije, si institucione me përgjegjësi, si qytetarë të ndërgjegjshëm, këtë dukuri duhet ta luftojmë në mënyrë efikase tërë kohën, nga të gjithë, nga secili, kudo. Që të mos lejojmë të kemi as edhe një viktimë më shumë”, tha në fund kryeministri Kurti.

Exit mobile version