Site icon Telegrafi

Dhjetë klubet sportive me më së shumti të hyra nga sponsorizimi në vitin 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar listën e të gjitha federatave dhe klubeve që kanë inkasuar të hyra nga sponsorizimi gjatë vitit 2023. Klubet e futbollit kanë fituar më shumë në përgjithësi, por janë tri klube të basketbollit ato që kanë zënë tri pozitat e parë në dhjetëshen e klubeve nga të gjitha sportet që kanë të hyra më të mëdha nga sponsorizimi.

MKRS ka publikuar listën e përfitimit të sportit nga ligji i sponsorizimit për vitin 2023. Sipas asaj që thuhet në postimin e tyre, me sponsorizim të federatave dhe klubeve sportive, shteti i Kosovës i mundëson bizneseve që të lirohen nga pagesa e tatimit në fitim deri në 30 për qind dhe atë buxhet ta orientojnë në sport.

Siç tregon edhe vet lista e publikuar, sporti që ka përfituar më së shumti nga ky ligj është ai i futbollit, me rreth 6 milionë euro të përfituara.

Pas futbollit sporti që ka përfituar më së shumti nga ligji i sponsorizimit del të jetë basketbolli me 5.8 milionë euro ndërsa top treshen e kompleton ai i volejbollit me rreth 1.1 milion euro.

Lexo po ashtu Dhjetë federatat me përfitimet më të mëdha nga sponsorizimi – FBK i prinë listës, FFK asnjë cent

Por, cilat janë klubet sportive nga të gjitha federatat që kanë fituar më shumë të hyra nga sponsorizimi në vitin 2023?

Në listën e siguruar nga Telegrafi, klubi që ka të hyra më të mëdha nga sponsorizimi është KB Peja me plotë 1,372,200 euro të siguruara, duke lënë pas vete rivalët e KB Trepça me 1,143,900 euro të fituara dhe KB Sigal Prishtina me 1,106,379 euro të hyra nga ligji për sponsorizim.

Në vendin e katërt gjendet kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, i cili gjatë vitit 2023 ka siguruar të hyra prej 1,000,185 eurosh, ndërsa pas tyre gjendet klubi tjetër nga Theranda, KB Golden Eagle Ylli me 868,000 euro të siguruara.

Nga pozita e pestë deri në vendin e dhjetë të gjitha pozitat i takojnë klubeve të futbollit, ku dy vendet pasuese zihen nga klubet e Superligës, FC Prishtina dhe Drita FC me përfitime prej 781,300 euro, respektivisht 627,000 euro nga gjilanasit, ndërsa tri pozitat e fundit i takojnë klubeve nga Liga e Parë.

FC Suhareka zë vendin e tetë me përfitime prej 358,326 eurosh nga sponsporzimi, ndërsa pas tyre vijnë FC Dinamo Ferizaj me 350,700 euro dhe FC Ferizaj me 305,200 euro.

Nga klubet tjera të basketbollit dhe futbollit që kanë fituar shifra të konsiderueshme nga sponsorizimi janë edhe KB Bashkimi me 268,000 euro, KF Vëllaznimi me 234,000 euro, KB Proton Cable Prizreni me 231,800, FC Malisheva me 217,600 euro dhe Gjilani 216,300 euro.

Top 10 klubet me përfitimet më të mëdha nga sponsorizimi në vitin 2023

/Telegrafi/

Exit mobile version