Site icon Telegrafi

Vërshimet në Pejë, 260 familje presin kompensim për dëmet e pësuara

Kanë kaluar dhjetë ditë prej kur qyteti i Pejës është prekur nga vërshimet, që preku më së rëndi 5 lagje të tij e ku mbetën të vdekur dy persona.

Deri me tani janë 260 kërkesa që janë dorëzuar në Komunën e Pejës për dëmet që janë shkaktuar ndërsa për kompensimin eventual të dëmeve, nga komuna thonë se presin ndihmë edhe nga Qeveria

Orendi e pajisje të shumta shtëpiake janë para dhjetëra shtëpive në Pejë, e të njëjta do të përfundojnë në ndonjërën prej deponive të bërllokut.

Ato u bënë të papërdorshme nga vërshimet që prekën më rëndë pesë lagje të Pejës, që rezultuan edhe me viktima.

Një prej banorëve të lagjes “Azem Bejta”, Sadri Raci që mbeti pothuajse pa shtëpi natën e 24 qershorit, tha të mos e ketë përjetuar një ndodhi të tillë ndonjëherë.

“Uji në shtëpinë time ka arritur deri në dy metra dhe ka ardhur shumë shpejtë, për këto 72 vite nuk e mbajë mend këso tragjedi, ka qenë rruga e pakalueshme e kanë rregulluar pak sa me dal me vetura”, deklaroi Raci.

Gjendja nga një lagje në tjetrën, dallon pak.

Lexo po ashtu Moskompensimi i dëmeve nga vërshimet nga Qeveria po falimenton bizneset në komunat e Kosovës

Pothuajse të gjitha kanë të njëjtat probleme. Shtëpitë e dëmtuara e rrugët pothuajse të pakalueshme.

Megjithatë, optimiste shfaqet kryetarja e Bashkësisë Lokale “2 Korriku” në Pejë, Valbona Avdijaj, që pret që gjërat të rregullohen brenda pak ditësh.

“Po janë hala disa pjesë që sot janë duke e rregulluar siç është kanalizimi në disa rrugë, është edhe pjesa e ujësjellësit që ka mbetur ndokund. Po besojmë që gjatë ditëve do të përfundojnë të gjitha”, ka deklaruar Avdijaj.

E për disa nga ata që mbeten pa kulm mbi kokë është përkujdesur Komuna e Pejës që t’i strehojë por ka dhe familje që tashmë kanë bërë zgjidhje vet.

Lexo po ashtu Moskompensimi i dëmeve nga vërshimet nga Qeveria po falimenton bizneset në komunat e Kosovës

Në këtë komunë ka filluar edhe pranimi i kërkesave për dëme, para se të vazhdojnë me procedurat e tjera para kompensimit eventual.

“Sipas informatave janë 260 kërkesa deri tash dhe janë duke u verifikua ato kërkesa pastaj të dalim më plotësim të formularëve dhe të dërgojmë në ministrinë përkatëse për kompensim. Janë tetë shtëpi në një lagje të cilat janë të pabanueshme dhe disa kanë bërë zgjidhje vet për banim e disa ju ka bërë komuna vet zgjidhje, por përmes komisionit po I bëjmë të gjitha verifikimet”, ka deklaruar Agron Nikçi, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike.

“Asllan Qeshma”, “7 shtatori”, lagjia “Fidanishtja”, “Xhemajl Kada”, e “Rrokaqeji”, janë pesë lagjet e Komunës së Pejës të cilat më së shumti u preken nga vërshimet e javës së fundit të qershorit, raporton RTVD.

Exit mobile version