Site icon Telegrafi

Dhanë dorëheqje 57 pjesëtarët e një njësiti policor, pas suspendimit nga puna të dy kolegëve të tyre me akuzën se përdorën dhunë të tepruar ndaj një aktivisti

Suspendimi nga puna i dy policëve të një njësiti policor në New York, shkaku i akuzave se përdorën dhunë të tepruar ndaj një aktivisti, ka bërë që të japin dorëheqje edhe 57 pjesëtarët tjerë të atij njësiti.

Ata janë nën hetime kriminale dhe nuk do të marrin rrogë, derisa të zbardhet ngjarja, lidhur me rrëzimin e qëllimshëm të Martin Gugino, i cili pas përplasjes në një trotuar, nisi të kishte rrjedhje gjaku nga veshi, transmeton Telegrafi.

Pas pamjeve shqetësuese që u shpërndanë në medie, ku 75-vjeçari shihet i gjakosur në trotuarin para një ndërtese në Buffalo, është marrë vendimi për suspendim të policëve, por që kolegët e tyre nuk e pranuan këtë vendim.

“Janë dorëhequr 57 policë, pas vendimit të pështirë për suspendimin e dy kolegëve të tyre, që vetëm po e kryenin punën e tyre”, ka thënë John Evans, president i Police Benevolent Association.

Sulmi ndaj këtij aktivisti, ndodhi gjatë protestave masive që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes në mënyrë mizore të burrit me ngjyrë George Floyd.

Aktivistët për të drejtat e njeriut, sulmin ndaj Gugino e kanë konsideruar të tepruar, ndërsa të pafalshëm largimin e policëve, pa ia dhënë atij ndihmën e duhur. /Telegrafi/

Exit mobile version