Telegrafi

Dha dorëheqje disa orë pasi u bë gruaja e parë kryeministre në Suedi, Andersson tregon arsyet pse e mori këtë vendim

Kryeministrja e parë grua e Suedisë ka dhënë dorëheqje vetëm disa orë pasi u emërua në këtë post.

Magdalena Andersson u shpall si udhëheqëse të mërkurën, por dha dorëheqje pasi partneri i saj i koalicionit u largua nga qeveria dhe buxheti i saj nuk kaloi në parlament.

Në vend të kësaj, parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga opozita, i cili përfshin të djathtën ekstreme kundër emigrantëve, raporton bbc.

“Unë i kam thënë kryeparlamentarit që dëshiroj të jap dorëheqje”, tha para gazetarëve Andersson, transmeton Telegrafi.

Ajo shtoi se shpresonte të bëhej sërish kryeministre, por që qeverinë ta udhëheq vetëm një parti.

“Ekziston një praktikë kushtetuese që një qeveri koalicioni duhet të japë dorëheqje kur një parti tërhiqet”, tha socialdemokratja duke shtuar se “Nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i së cilës do të vihet në dyshim”.

Theksojmë se Andersson u zgjodh kryeministre gjatë ditës së sotme, sepse sipas ligjit suedez, asaj i nevojitej vetëm shumica e deputetëve për të mos votuar kundër saj.

Njëqind vjet pasi grave suedeze iu dha e drejta për të votuar, liderja 54-vjeçare socialdemokrate u duartrokit në këmbë nga deputetët.

Zgjedhja e saj në krye të një qeverie të pakicës pasoi pas një marrëveshje të partive të majta të opozitës, në këmbim të pensioneve më të larta për shumë suedezë. Ajo siguroi gjithashtu mbështetjen e partnerit të koalicionit, të Gjelbërve, si dhe të partisë së Qendrës.

Nga 349 anëtarët e Riksdag, 174 votuan kundër saj. Por në krye të 117 deputetëve që mbështetën Andersson, 57 të tjerë abstenuan, duke i dhënë asaj fitoren me një votë të vetme.

Një ish-kampione noti për të rinj nga qyteti universitar i Uppsala, ajo filloi karrierën e saj politike në vitin 1996 si këshilltare politike e kryeministrit të atëhershëm Goran Persson. Ajo ka kaluar shtatë vitet e fundit si ministre e financave.

Përpara se deputetët të mbështesnin Magdalena Andersson, Suedia ishte i vetmi shtet nordik që nuk kishte kurrë një grua në postin e kryeministres. /Telegrafi/