Pa u bërë as një javë, i dyshuari për prodhim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje, Sinisha Nedelkoviq, ndaj të cilit ishte aktive masa e dorëzanisë në vlerë 30 mijë euro, ka tentuar të largohet nga territori i Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar nga Prokuroria Speciale, Liridona Xheladini.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur Ju informoj se Prokuroria Speciale ka bërë sot kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.N., pasi që i njëjti ka tentuar të kalojë në vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe është ndaluar nga Policia e Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Sipas përgjigjes së Prokurorisë, tashmë është paraqitur kërkesë e re për paraburgim ndaj Sinisha Nedelkoviqit.
Më 17.09.2024, Gjykata e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj Sinisha Nedelkoviqit, i dyshuar për veprat e lartcekura.
Si masë për ta siguruar të pandehurin në procedurë penale i kishte shqiptuar masën e dorëzanisë në vlerë 30 mijë euro.
Sipas njoftimit të Gjykatës, nëse i pandehuri arratiset paratë e dorëzuara për dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave dhe do të aplikohet masa e paraburgimit.
Më 23.05.2022, KALLXO kishte raportuar se 6 milionë euro është vlera e drogës së sekuestruar dhe 1.5 milion euro është vlera e pajisjeve të shkatërruara të laboratorit të drogës në Izvor, në afërsi të kufirit me Serbinë.
Kështu kishte bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili kishte publikuar një fotografi në të cilën shihej duke u bërë shkatërrimi i bimëve narkotike.
“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro” – kishte shkruar Sveçla.
Nga një aksion i Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës në vendin Izvor ishte zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.