Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli ka folur pas humbjes së ekipit të tij nga Ballkani me rezultat 1-2 në kuadër të javës së 14-të në Superligën e kosovës.
Drenica u mposht në shtëpi nga liderët e kampionatit, ku golat u shënuan nga Ermal Krasniqi (3’) dhe Mirlind Daku (29’) për mysafirët, ndërsa për vendasit shënoi Azem Bejta (89’).
Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri i Drenicës, Devolli, i cili nuk ndihet aspak i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.
“Gjërat nuk shkuan mirë dhe për këtë unë marr përgjegjësitë i pari. Ne ia dhuruam fitoren kundërshtarit, ata nuk na bënë golat, ne i bëmë vet dhe për këtë më vije shumë keq, pasi kemi pranuar gola cinik”, ka thënë fillimisht Devolli.
“Ne kemi lozur futboll vetëm në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Vumë në vështirësi Ballkanin dhe i realizuam gol. Po të kishim realizuar më herë, tani do flisnim ndryshe pas ndeshjes”.
Trajneri nga Shqipëria foli edhe për përplasjen që pati pas pjesës së parë me mbrojtësin Valdo Zeqaj, ku shtoi se preferon që gjërat t’i mbante brenda shtëpisë.
“Nuk kam ndonjë koment për këtë. Gjërat e shtëpisë i mbajmë në shtëpi dhe nuk i nxjerrim në pazar. Unë u kam treguar futbollistëve që nga dita e parë që jam këtu, dua punë, disiplinë dhe harmoni”, përfundoi trajneri i Drenicës. /Telegrafi/