Site icon Telegrafi

Devolli Group, ndihmon familjet e prekura nga vërshimet në Shqipëri

Reshjet e ditëve të fundit në Shqipëri kanë lënë pa kulm mbi kokë shumë familje Shqiptare. Rrjedhimisht, të njëjtat familje tanimë përveç strehimit kanë edhe problemin e mungesës së gjërave ushqimore. E si zakonisht në këto situata më të prekurit janë fëmijët.

Për këtë arsye Devolli Group, përkatësisht Fabrika e Qumështit Vita ka marrë vendim që të dhuroj 10.000 litra qumësht për familjet e prekura nga vërshimet e ditëve të fundit në Shqipëri.

Ambasada e Shqipërisë ka ftuar në një takim kompanitë të cilat kanë vendosur që të ndihmojnë banorët e zonave të prekura nga vërshimet.

Argjira Lluka nga Devolli Group, ku bën pjesë edhe Qumështorja Vita ishte po ashtu prezente në këtë takim. Ajo pohoi se kjo është më pakta që kanë mundur të bëjnë për këto familje. ”Ne e kemi shumë parasysh situatën në të cilën ndodhen këto familje, dhe shpresojmë se ndihma jonë sadopak do të mund të ju lehtësoj kushtet e jetesës në këto ditë shumë të vështira për ta”, shtoi Lluka.

Kjo nuk është hera e parë që Devolli Group, përkatësisht Qumështorja Vita ndihmon të prekurit nga vërshimet në Shqipëri. Ndihmë të ngjashme qumështorja ka ofruar edhe para disa viteve, ku zona të tëra të shtetit Shqiptar ishin përfshirë nga vërshime të lumenjve.

Qumështorja Vita është pjesë e Devolli Group dhe punëson mbi 300 punëtorë në formë të drejtpërdrejtë dhe krijon qarkullim financiar për rreth 2000 ferma anembanë Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version