Site icon Telegrafi

“Devolli Corporation” paralajmëron padi ndaj një ditoreje

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), pasi ka analizuar ankesat e “Devolli Corporation” ndaj gazetës “Kosova Sot”, për përmbajtjen e artikujve të botuar më 2 tetor 2015, me titull ”Republika e Devollit perandori e krimit”, dhe “Pushteti i lidhur me oligarkinë e krimit” i botuar më 28 shtator 2015, gjen se ankesa e kësaj kompanie është e bazuar pjesërisht.

Në sqarimin e KMSHK-së thuhet se “gjuha e përdorur në artikujt e lartcekur, si p.sh. ‘perandori e krimit’, paraqet shkelje të Kreut III të Kodit të Mediave të Shkruara dhe nuk respekton detyrimin e medias së shkruar që del nga dispozita e Kreut III pika 1, ‘Shtypi do të bëjë atë që mundet për të mos nxitur apo ushqyer urrejtje dhe pabarazi përmes a) trajtimit me paragjykim të një individi apo grupi, dhe b) përdorimit të shprehjeve denigruese me qëllim të lëndimit dhe kërcënimit te një individi apo grupi mbi baza të ndryshme”.

KMSHK-së më tutje sqaron se ka konstatuar se gazeta “Kosova Sot” nuk prezantoi qëndrimin e vet, e po ashtu nuk kishte ndonjë përgjigje nga redaksia lidhur me ankesën.

“Devolli Corporation” përmes një komunikate për media kë bërë më dije se do të ushtrojë të drejtën ligjore duke deponuar padi ndaj këtyre shpifjeve dhe denigrimeve, si dhe do të kërkojë kompensim për dëmin e shkaktuar.

“’Devolli Corporation’ gjithmonë ka inkurajuar dhe vazhdon të inkurajoje lirinë e medias dhe fjalën e lirë, duke vlerësuar se ato janë themelet e një shoqërie demokratike”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version