Telegrafi

Devollët: Mbi 18.3 milionë euro kemi kontribuar në buxhetin e Kosovës (Foto)

Çdo prodhim nga gruri, është 100 për qind me kokrra të grurit, rreth 70 për qind nga ajo del miell, ndërsa pjesa tjetër është krunde.

Kështu kanë thënë përfaqësues të kompanisë Devolli, të cilët gjatë ditës së hënë kanë ftuar mediat që tu tregojnë procesin e përpunimit të grurit deri në produktin final, miell.

Me këtë rast përfaqësues të kësaj kompanie kanë prezantuar edhe Devollët si kompani, çfarë ndikim kanë në mirëqenie sociale, për kontributet e tyre në rastet sociale e të tjera.

Seat Shehu, drejtor i kompanisë ‘M- Sillosi’, ka prezantuar dhe ka treguar për prodhimin e miellit nga gruri, e që sipas tij, për cilësinë e grurit që prodhohet në këtë kompani kanë qenë të qarta edhe nga institucionet përkatëse.

“Ne jemi të bindur që produktet tona janë produkte shumë cilësore edhe përmbajnë të gjitha vlerat ushqyese që duhet me i pasur produkti i caktuar. Kemi pritur që të reagojnë institucionet që janë përgjegjëse për kontrollimin e cilësisë së produkteve në këtë rast ka reaguar edhe AVVUK-u si dhe instituti bujqësor i Kosovës me rezultate që janë të verifikuara dhe garantojnë që produktet tona janë të mira”, ka thënë Shehu.

Ai po ashtu ka treguar se 80 për qind e grurit importohet ndërsa 20 për qind e saj merret nga pikat grumbulluese në Kosovë.

Shehu tha se importin e bëjnë nga vendet të ndryshme të ndërkombëtare, e jo vetëm në Serbi. Po ashtu ka thënë se janë të hapur për të gjithë, të vizitojnë kompaninë dhe të binden për cilësinë e produktit, në këtë rast miellit.

Fabrika “M-Silosi” shtrihet në një siperfaqe prej 5.6 hektarësh, dhe ka një kapacitet të depozimit të grurit prej 60 mijë tonë, dhe një numër prej 140 punëtorëve (me orar të plotë).

“Ne nuk hezitojmë që edhe njëherë t’i theksojmë se produktet tona janë shumë cilësore dhe i plotësojnë të gjitha standardet e kërkuara. Së shpejti do të publikohen edhe analizat (për cilësinë e produkteve tona) të cilat janë bërë nëpër shtetet e Bashkimit Evropian (BE), dhe ato rezultate do të jenë përgjigja më e mirë për cilësinë e këtyre produkteve. Ne kemi mbi 15 mijë fermer me të cilët jemi në komunikim të përditshëm(bashkëpunojmë më ta), por kemi edhe numër të madh të konsumatorëve të cilat janë shumë të kënaqur me kualitetin e miellit.

Në njërën anë, analistët e tregut, janë duke e bërë një parallogaritje të humbjeve të cilat mund t’i kemi pasur në treg (rënia e shitjeve), gjatë këtyre dy javëve prej së kur ka filluar kjo fushatë kundër nesh. Ndërsa, në anën tjetër, juristët tonë tash do të procedojnë me një padi ndaj atyre që kanë shpifur (duke bërë akuza të padrejta) për kompaninë tonë.

Shehu ka theksuar më tutje se ata kërkojnë mundësi të reja për shtimin e prodhimeve vendore, ku një prej këtyre produkteve ka qenë edhe ushqimi i kafshëve.

“Siç e dimë në Kosovë, ushqimet e kafshëve janë të liruara nga TVSH-ja, kështu që ne e kemi shfrytëzuar procedurën ligjore (sipas akteve ligjore të Kosovës) dhe kemi importuar një sasi të grurit për kafshë, duke prodhuar produkte dhe i plasuar ato në treg. Nga kjo mund të jetë krijuar percepcioni që ndoshta ne i ikim tatimit, ndonëse jemi të hapur ndaj çdo hetimi, për ta dëshmuar të kundërtën. Madje ne e kemi përkrahur hetimin që e ka iniciuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në laboratorin e ‘M-Sillos-it’, kryhen të gjitha analizat fiziko- kimike dhe mikrobiologjike të grurit edhe miellit. Roli i laboratorit tonë nuk është vetëm të bëjmë analiza të produkteve, por njëkohësisht ky laborator ka rol në kontrollimin e kualitetit të produkteve të cilat ne i prodhojmë. Çdo produkt, çdo lëndë e parë që importohet në Kosovë, për nevoja të ‘M-Sillosit’, së pari kontrollohet prej laboratorit tonë, i vetmi laborator i akredituar në Kosovë prej Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Në ndërkohë, Argjira Lluka nga kompania Devolli ka bërë prezantimin e Devollit duke treguar kontributin tyre.

“ Devollët brenda vitit paguajnë 18.3 milionë euro taksa vjetore ndaj shtetit të Kosovës. Devollët po ashtu punësojnë mbi 1 mijë persona që arrijnë të kenë pagë 30 për qind më të lartë se paga mesatare në shtetin e Kosovës….Gjithashtu Devollët kanë bashkëpunim dhe japin kontribut në jetesën e mbi 16 mijë buqëve të Kosovës e kjo bëhet duke bërë grumbullimin e lëndës së parë “, ka thënë Lluka.

Ajo po ashtu ka prezantuar edhe cilësinë të cilën e ofrojnë ata.

“Devollët brenda viteve kanë arritur të marrin certifikata të ndryshme disa prej tyre janë HACCAP , ISO standard 22 mijë …. Devollët me kapacitetin e tyre përpos që kanë arritur të kenë mbulueshmëri të tregut të Kosovës kanë arrit të hyjnë edhe në tregjet e rajonit dhe ato ndërkombëtare “, ka thënë Lluka.

Po ashtu përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë treguar se Devollët kanë kontribuar në dhurimin e 11 vendbanimeve, po ashtu ata sipas prezantuesve kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetesës së bashkëqytetarëve si dhe në avancimin e sportit duke mbështetur edhe kampione Majlinda Kelmendin. /KP/