Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, të premten publikoi këngën e saj më të re “Sabotage”.
Kjo këngë e zhanrit baladë është paralajmëruese e albumit të saj të ri, “Better Mistakes”, i cili i plotë do të publikohet më 7 maj.
“Sabotage”, një baladë e lehtë dhe e ndjeshme në tematikën e saj flet për pa lumturinë dhe gabimet e njëpasnjëshme të individit, që çojnë deri në shkatërrimin e gjithçkaje.
E në këtë formë është konceptuar edhe klipi, i cili e shfaq fillimisht këngëtaren në një mjedis të qetë e botanik, por që më pas shkatërrohet dhe shpërbëhet gjithçka.
Njëlloj ndodh me piktura, bibliotekën dhe të gjitha gjësendet në dhomën ku artistja ndodhet, teksa interpreton mes lotësh këngën e saj.
Një element shumë i veçantë që mori vëmendjen e shikuesve në klip ishte një nga skenat, ku shfaqet një fotografi në kornizë, e cila zhduket gjithashtu.
Ndërkohë fotografia e përzgjedhur për të qenë aty është një fotografi e vjetër e këngëtares nga fëmijëria e saj, në një përqafim me të vëllain e saj, Florent Rexha.
Ndonëse një skenë e shpejtë, ky detaj nuk shpëtoi pa u vënë re në sy nga disa prej fansave me sy të mbrehtë.
Mesa duket për ta personalizuar sa më shumë klipin, Rexha ka zgjedhur që të paraqesë fotografi të sajat në video, meqë edhe është prononcuar që këngët e albumit “Better Mistakes”, janë të bazuara shumica në përjetimet e jetës personale të saj.
Vet Bebe Rexha është shprehur se albumi i saj i ri ka këngë me tematikë të ndjeshme dhe depresive, duke e cilësuar si “të errët”. /Telegrafi/