Ky model do t’i ketë 410 kuajfuqi, që e bën shumë më të fuqishëm se paraardhësin
Për një kohë të gjatë, BMW kishte bërë të ditur se është duke punuar në modelin e ri nga linja M, ndërsa tani i kemi disa detaje, transmeton Telegrafi.
Ju prezantojmë modelin M2 Competition, që do të lansohet gjatë vitit që vjen, i cili ka motorin 3.0-litra që prodhon 410 kuajfuqi.
Derisa një M2 i zakonshëm i ka 365 kuajfuqi, i riu do t’i ketë 45 njësi më shumë, duke bërë që të jetë shumë më i fuqishëm.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura një blog slloven, së bashku me disa detaje që e tregojnë nga afër.
Makina do ta ketë të integruar një sistem të posaçëm, që e dërgon forcën tërheqëse në pjesën e pasme.
Por, nuk është thënë nëse do të ketë sistemin manual me gjashtë njësi.
Shpejtësinë nga zero deri në 100 kilometra në orë, ky M2 e arrin për 4.2-sekonda, teksa paraardhësi e kapte për 4.5-sekonda.
Ndryshimet në pjesën e jashtme janë të lehta, për dallim prej grillit që është shumë më agresiv dhe kapakut.
Pasqyrat anësore ngjajnë me ato nga kupeja M4, teksa rrotat me 19-inch duket sikur janë dizajn tërësisht i ri.
Enterieri ka ndryshime minimale, por bien në sy ulëset e përmirësuara, që po ashtu duket sikur janë nga M4.
Prapa timonit e ka edhe një buton të kuq për ndezje dhe ndalim, që pritet të ketë funksion të veçantë, por nuk dihet saktësisht.
E tëra që dihet, është se këto detaje do t’i mësojmë gjatë javëve në vijim, kur të prezantohet zyrtarisht në Beijing Motor Show. /Telegrafi/