Mëngjesin e sotëm, në banesën e tij është gjetur i vdekur Agron Matjani ish-prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Dyshohet se ai është vetëvrarë, ndërkaq RTV Dukagjini mëson se bashkëshortja e tij e ka gjetur pa shenja jete në banjën e banesës së tij.
Është gjetur i vdekur në banesën e tij, ish-prokurori Agron Matjani. Trupin e pajetë të Matjanit e kane gjetur familjarët mëngjesin e së enjtes të cilët edhe kane njoftuar Policinë, përcjell Telegrafi.
Familjarët e të ndjerit nuk kanë dashur të prononcohen para kamerave, por në kushte anonimiteti i kanë thënë RTV Dukagjinit se bashkëshortja e ka gjetur të ndjerin pa shenja jete në vaskën e banjës së banesës. Ata thonë se Agron ka prerë vënët e këmbëve.
Ndërsa, në detajet e dhëna nga policia thuhet se rasti është lajmëruar mëngjesin e së mërkurës.
“Rreth orës 9 e 30 minuta është raportuar nga familjarët e viktimës se personi i apostrofuar nga ana e juaj është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren”, thuhet në njoftim.
Edhe prokuroria themelore ne Prizren me ane te një komunikate, e cilësoi si vdekje të dyshimtë.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se sot rreth orës 9:30 personi me inicialet A.M, – ish prokuror është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren, pas raportimit nga anëtarët e familjes së tij. Me të marrë lajmin, prokurorja kujdestare së bashku me njësitet relevante policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndaj Agron Matjanit që ishte edhe prokuror i prokurorisë themelore në Gjakovë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për vepra penale të korrupsionit.
Ai akuzohej se e kishte keqpërdorur pozitën e prokurorit në dy raste në të cilat i kishte zbutur akuzat për të pandehurit./Telegrafi/