Efektivi A.P., i cilii dha fund jetës me armën e shërbimit në vendin e punës, në momentin e kryerjes së aktit të rëndë ka qenë në funksion dhe akoma i pa pezulluar nga puna pavarësisht se ka patur një vendim të Shkallës së Parë të Gjykatës së Durrësit.
Klan News ka raportuar se ai akuzohej për një ngjarje që ka ndodhur mes fqinjit të tij dhe punonjësit të policisë, ku në konflikt e sipër, ai e ka plagosur.
Ka qenë kjo arsyeja pse Pjeçi është hetuar, proceduar, gjykuar më pas nga ana e Gjykatës së Durrësit, e cila ka kërkuar pezullimin e tij nga detyra.
Sapo i është komunikuar dhe vendimi i Gjykatës së Durrësit që ka qenë i formës së prerë kundrejt oficerit të policisë, nga kolegët e tij thuhet se ai nuk e ka përjetuar mirë, e ka pritur mjaft keq këtë vendim për vetë faktin se kishte 35 vite që ushtronte profesionin e tij në Drejtorinë e Qarkut Durrës dhe ka kaluar në një gjendje të rënduar psikologjike, që dyshohet se e ka çuar në vetëvrasje.
Siç raportohet, pista e vetme që po heton policia deri në këto momente është ajo e vetëvrasjes duke i referuar pozicionit që është gjetur trupi i të ndjerit në ambientet e punës.