Site icon Telegrafi

Detaje për incidentin që ndodhi gjatë konferencës së Thaçit ku u arrestua një aktivist i LVV-së

Pasditen e sotme derisa presidenti i vendit, Hashim Thaçi jepte konferencë për media, u raportua se një grup i qytetarëve ishin mbledhur para oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Aty kishin reaguar pjesëtarët e mbrojtjes së tij duke shkaktuar një përleshje mes tyre në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Veron Hasani, i cili është aktivist i LVV-së, po thuhet se është goditur nga katër persona, të cilët kishin ardhur nga oborri i Kuvendit gjatë kohës sa ishte duke mbajtur konferencë presidenti Thaçi.

Lexo po ashtu Gjatë konferencës së Thaçit, disa qytetarë protestojnë në afërsi të Kuvendit

Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se është ushtruar dhunë ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Disa persona të shërbimit të presidentit e kanë dëgjuar dhe kanë ardhur kanë ushtruar dhunë ndaj tij. E kanë kapur pa i kallëzuar arsyen pse është arrestuar dhe kanë filluar ta godasin grushte. Veroni momentalisht është tepër i sulmuar nga njerëzit e panjohur të shërbimit të presidentit. Kjo është dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës për shkak se nuk guxojnë me shpreh mendimin për një president, i cili sillet si mbret në institucionet e Kosovës. Kjo është turp”, tha ai.

Një qytetar tjetër tha se është i gatshëm edhe për të dëshmuar për këtë që ka parë sot te sheshi “Ibrahim Rugova”.

“I ka ra në kokë njëri këtu prej rojës a mbrojtjes çfarë është, ia njoh fytyrën shumë mirë. I ka ra grusht sa ka mundur. Kjo është e vërtetë. Kur ka qejf e dëshmoj”, shtoi ai. /KP/

Exit mobile version