Një atentat i mori jetën një 39-vjeçari mbrëmjen e së dielës. Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të Kasharit, ku atentatorët qëlluan nga një automjet në lëvizje.
Hetuesit dyshojnë se viktima Iljaz Çali edhe pse lëvizte me një automjet që nuk e ka në pronësi, ndiqej nga vrasësit, ndërsa në momentin që ndriçimi i autostradës u ndërpre ata qëlluan me breshëri ndaj tij.
Kanë qenë drejtuesit e tjerë të automjeteve të cilët lajmëruan policinë pasi mendonin për një aksident të mundshëm, por policia gjeti në vendngjarje më shumë se 20 gëzhoja.
Hetuesit dyshojnë se bashkë me viktimën në makinën tip “Land Rover” ka qenë dhe një pasagjer tjetër, ndërsa kontrolle u ushtruan në disa prej spitaleve të Tiranës, por asnjë person i plagosur nuk u paraqit për të marrë ndihmën e parë.
Veç mungesës së ndriçimit në zonë nuk ka as kamera sigurie, ndërsa policia nuk ka mundur të gjejë asnjë mjet të braktisur.
Iljaz Çali nuk është një emër i panjohur për policinë. Veç procedimit në vitin 2016 për kanabis, Iljaz Çali njihej dhe si mik i Gjin Nikës, i ekzekutuar në vitin 2014 si pasojë e përplasjes së grupeve për tregtinë e kromit.
Prej janarit të vitit 2011, Iljaz Çali zotëronte 50% të aksioneve të kompanisë Çali, ndërsa gjysmën tjetër vëllai i tij. Ndonëse nuk ka një pistë konkrete, hetuesit dyshojnë se edhe vrasja e tij lidhet me serinë e vrasjeve mbi tregtinë e kromit, raporton A2 CNN. /Telegrafi/