Lyoni ka konfirmuar se Nabil Fekir do të qëndrojë te klubi francez edhe në sezonin e ardhshëm, pasi kanë dështuar bisedimet me Liverpoolin.
Redsat qe një kohë kanë qenë në kërkim të francezit dhe ishin në bisedime për një shumë prej 60 milionë funtesh (68 milionë euro) për ta transferuar nga klubi i Ligue 1.
Madje kreu i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, kishte thënë se futbollisti i ka kaluar testet mjekësore në kohën e përgatitjeve për Kampionatin Botëror.
Mirëpo, Lyoni ka konfirmuar se Fekir do të vazhdojë të luajë në Ligue 1 edhe në sezonin e ardhshëm, meqenëse negociatat kanë dështuar.
“Olympique Lyonnais informon se negociatat me Liverpoolin dhe Nabil Fekirin për transferimin e kapitenit të OL, nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe Olympique Lyonnais ka vendosur t’u japë fund bisedimeve sonte (e shtunë) në orën 20:00”, thuhet në njoftimin e klubit francez.
Mosmarrëveshja duket të ketë pasur të bëjë me ekzaminimet mjekësore të 24-vjeçarit, duke qenë se klubet kishin arritur marrëveshje ditë më parë.
Kapiteni i Lyonit e kishte lënduar gjurin në muajin shkurt dhe asokohe nuk ka luajtur për gjashtë javë dhe besohet se këtu ka qëndruar dyshimi i Liverpoolit që ka kërkuar ekzaminime shtesë mjekësore. /Telegrafi/