Site icon Telegrafi

Dështon seanca ndaj aktivistëve të VV-së për rrokullisjen e veturave të EULEX-it

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe rrokullisjes së veturave të EULEX-it.

Seanca nuk është mbajtur pasi shumica e të akuzuarve nuk kanë qenë të pranishëm dhe Policia nuk ka arritur t’i gjej dhe t’i sjell në Gjykatë.

“Për pjesën dërmuese kam lëshuar fletsjellje me detyrim, por Policia nuk i ka gjetur dhe jemi të detyruar që ta ndërpresim seancën”, ka thënë gjyqtari Vesel Ismajli, raporton KTV.

Ai nuk ka caktuar seancë tjetër sepse ka thënë se do të shqyrtoj mundësitë për të siguruar prezencën e të pandehurve në Gjykatë.

“Do t’i shohim të gjitha mundësitë e mundshme që na lejon ligji për të vazhduar tutje”, ka thënë gjyqtari në fund të seancës.

Gjykata ka lëshuar fletsjellje me detyrim për deputetin Glauk Konjufca, sekretarin organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, zëdhënësin Frashër Krasniqin dhe të tjerë të akuzuar në këtë rast.

Seancat më herët kanë arritur të mbahen vetëm kur zyrtarët e VV-së kanë qenë në paraburgim ose janë arrestuar paraprakisht nga Policia. Në seancën e sotme kanë qenë të pranishëm vetëm 7 nga 27 të akuzuarit.

Zyrtarë e aktivistë të Vetëvendosjes akuzohen për dëmtim të pasurisë në rastin e 2009 kur në një aksion kishin rrokullisur shumë vetura të EULEX-it, si shenjë e kundërshtimit të një marrëveshje që misioni evropian e kishte nënshkruar me Serbinë.

Exit mobile version