Në mungesë kuorumi në Kuvend, ka dështuar të miratohet Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
Vetëm 59 deputetë nga radhët e pozitës u shprehën pro miratimit të Projektligjit, ndërsa deputetët opozitarë u përmbajtën nga votimi.
Paraprakisht, me 60 vota për dhe një abstenim, Kuvendi miratoi amendamentet për këtë Projektligj.
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, ka përplasur sot në Kuvend, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit kërkoi që profesorët dhe mjekët të largohen nga Projektligji për deklarimin e pasurisë, pasi sipas tij, asnjëra kategori nuk është i ekspozuar ndaj korrupsionit dhe aferave korruptive.
Por, ministrja Haxhiu, tha se propozimi i tyre është që dy këto kategori duhet të deklarojnë pasurinë, mirëpo deklarimi i tyre mos të jetë publik.