Telegrafi

Dështojnë përsëri negociatat për ribashkimin e Qipros

Negociatat maratonë të zhvilluara në Zvicër nga data 28 qershor deri më 7 korrik për gjetjen e një zgjidhjeje konfliktit në Qipro, që zgjat që prej 40 vjetësh, dështuan të premten me gjithë përpjekjet e bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Diskutimet hasën pengesa në lidhje me tërheqjen e trupave turke të vendosura në pjesën veriore të ishullit ose me ruajtjen e të drejtës së ndërhyrjes nga ana e Turqisë, sipas burimeve diplomatike.

Ishulli i Qipros në Detin Mesdhe, me një popullsi prej një milion banorësh, është ndarë që nga pushtimi i 37% të territorit te tij nga ushtria turke në vitin 1974, në përgjigje të një grushti shteti qëllimi i të cilit ishte ta bashkonte me Greqinë, gjë që shqetësoi komunitetin qipriot-turk.

Që atëherë, Republika e Qipros e cila është anëtare e Bashkimit evropian që nga viti 2004, ushtron autoritetin e saj vetëm në pjesën jugore ku jetojnë qipriotët-grekë.

Negociata të shumta janë zhvilluar gjatë dekadave të fundit në përpjekje për të përafruar pikëpamjet e dy komuniteteve, por pa rezultat.

Bisedimet e fundit të zhvilluara nën patronazhin e OKB-së, që janë cilësuar si shansi më i mirë për gjetjen e një zgjidhjeje konfliktit shumëvjeçar u mbyllën pa marrëveshje.