Telegrafi

Dështimi i takimit Begaj-Abdixhiku, kritikohet kryetari i LDK-së për “skandal politik e diplomatik”

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po qëndron për vizitë në Kosovë, ndërsa sot ka takuar liderët e partive opozitare, me përjashtim atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Takimi me Lumir Abdixhikun ka dështuar pasi nuk janë pajtuar me vend takimin.

Begaj ka takuar liderët opozitarë në Kuvendin e Kosovës, gjersa LDK kishte kërkuar që takimi të mbahej në zyrtar e partisë.

Për shkak të dështimit të takimit, lideri i LDK-së ka marrë kritika edhe nga ish ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e LDK-së, Skender Hyseni. Ai kritika ka marr edhe nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Hyseni në një postim në Facebook shkruan se Lumir Abdixhiku shkaktoi një skandal politik infantil.

Lexo po ashtu Krasniqi falënderon presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për udhëheqësit e UÇK-së

“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, thuhet në njoftimet e medias.

Ndërkohë që thuhet poashtu se ‘Kreu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paska refuzuar takimin me presidentin Bajram Begaj, duke mos  respektuar ftesën e presidentit për t’u takuar në selinë e Kuvendit’.

Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së”, shprehet Hyseni.

Pa dashur të futet në detajet e protokollit, Hyseni shton “më duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është seli, e përtej selie e çdo partie politike parlamentare në Kosovë.

Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë poaq ‘i madh’, me rastin e vizitës së Presidentit të Malit të Zi të cilin, me 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës por në hotelin Swiss Diamond???!!!”.

Lexo po ashtu Haradinaj pas takimit me Begajn: Kemi folur rreth idesë për mbrojtje të përbashkët

E për dështimin e takimit Begaj-Abdixhiku ka ironizuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Paramendojeni Lumiri duke pritë në korridor të Swiss Diamond për me u taku me Gjukanoviqin, e Presidentit të Shqipërisë nuk i shkon në takim në sallën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës! Mirë që e ka taku Gjukën po ka mujt edhe Begajn hahaha pak humor se ai e din vet me kënd takohet e ku takohet”, shkruan Kadrijaj. /Telegrafi/