Telegrafi

Dështimi i rezolutës kundër shtrenjtimit të rrymës, Hyseni: Çfarë pritet pasi votuat Osmanin presidente e rezolutat mashtruese të Kurtit

Ish-Koordinatori Nacional për dialog dhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka reaguar pasi në Kuvend ka dështuar të miratohet rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës.

Hyseni ka kritikuar opozitën, duke thënë se nuk kanë çfarë të presin më shumë pasi kanë votuar Vjosa Osmanin për presidente, dhe kanë votuar rezoluta siç ka thënë ai mashtruese të Albin Kurtit.

“Dështon rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës. Ishte një lajm sot në portalet e Kosovës. Po, pse çka priti kjo opozita jonë e mjerë. Pas votimit të Vjosës për Presidente … burri i së cilës don të instalojë në tip censure all “Kore e Veriut” në Kosovë? Pas votimit të rezolutave mashtruese të Albin Kurtit? Pas përkrahjes pa ekuivoke të politikave të jashtme të Albin kurtit dhe Vjosa Osmanit? Ju pritët se Albin Kurti do ua bëjë kuorumin, për një kauzë shumë tokësore”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, opozita nuk është asgjë pos një dekor i Albin Kurtit.

“Natyrisht që jo. Ju jeni asgjë pos një dekor i Albin Kurtit. Mozomakeq, ku jemi katandisë! E sa për Viola Von Cameron… më duhet t’i them E keni kërkuar, shijojeni”, thotë ai.

Ndryshe, sot në mungesë të kuorumit, votimi i rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë është lënë për ndonjë seancë të radhës.

Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë. /Telegrafi/