Telegrafi

Dështimi në UEFA, Duka humbi 500 mijë euro

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk arriti të bëhet anëtari i Komiteti Ekzekutiv të UEFA-së. Me këtë rast, numri një i futbollit shqiptar humbi edhe 500 mijë euro.

Një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që zgjidhet përfiton 100 mijë euro shpërblim për detyrën e re, shkruan Panorama Sport.

Megjithatë, përfitimi financiar i individit nuk përfundon me kaq. Institucioni europian i futbollit ofron një pagesë prej 100 mijë eurosh në vit, pra 400 mijë euro në total si pagesë për mandatin katërvjeçar për çdo anëtar të KE-së.

Shpërblimet e secilit prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s janë edhe në rast të çdo dite zyrtare pune, kur personi në fjalë ka një aktivitet për llogari të UEFA-s. Çdo anëtar i Komitetit Ekzekutiv ka një kuotë bazë pagese prej 300 eurosh në ditë (trajtim financiar për jetesën).