Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pasi Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave gjatë takimit të sotëm në Bruksel, mes delegacioneve të këtyre dy shteteve.
Sipas Kurtit, Beogradi zyrtar e ka dëshmuar se nuk është i interesuar të arrijë marrëveshje.
“Nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”.
“Ndërkaq, ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit, që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka thënë shefi i qeverisë për RTK-në.
Tutje, ai është shprehur se Serbia ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, për shkak të sukseseve të kësaj të fundit.
“Presidenti i Serbisë është duke shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, dhe unë besoj që kjo ka të bëjë me suksesin e Kosovës. Ne po përparojmë në të gjitha fushat, e kjo i pengon atij. Dhe, ka të bëjë me luftën në Ukrainë, sepse Serbia po mban anën e agresionit ushtarak”, ka thënë Kurti.
Dialogu i sotëm mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në Bruksel, ka përfunduar pa marrëveshje për targat.
Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se në takimin e sotëm nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.
“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter. /Telegrafi/