Antonio Conte e ka mbyllur vitin e tij të parë te Interi pa fituar asnjë trofe.
Tekniku zikaltër ishte afër triumfit në Serie A, por e mbylli kampionatin një pikë mbrapa Juventusit.
E pasi nuk ia doli në Serie A dhe Coppa Italia, Conte pati mundësi për ta fituar trofeun e parë, kur në finalen e Ligës së Evropës u përballë me Sevillën, por që u mposhtë 3-2.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë dhe e barabartë. Ne kemi pasur raste, por jemi ndëshkuar nga një devijim i pafat i Lukakut”.
“Ndjejmë keqardhje, por skuadra dha gjithçka kundër një rivali me shumë përvojë që është mësuar me ndeshje të tilla dhe që ka fituar finalen disa herë. Në fund, kjo është ajo që ka bërë diferencën”, deklaroi Conte.
Conte më tej ka paralajmëruar se mund të largohet nga Interi pas përfundimit të kësaj finale.
“Ka disa gjëra që kam përjetuar këtë vit dhe që nuk më kanë pëlqyer, me gjithë respektin për të gjithë. Unë kam një familje dhe duhet të kuptoj nëse futbolli është prioriteti apo familja ime”
“Sepse nëse disa situata ndikojnë te familja ime, kjo nuk është e pranueshme për mua. Gjithçka ka një limit, duhet të kuptoj ku është limiti im”.
“Do ta sqarojmë situatën me qetësi dhe unë do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që të kaloja një vit të madh te Inter, por që ka qenë edhe shumë i vështirë”, u shpreh Conte. /Telegrafi/