Site icon Telegrafi

Dëshmia e ish-punonjëses së Call Center: Si mashtrohen klientët e huaj me bursën në Shqipëri

Autoritetet shqiptare kanë në dorë dëshminë e shtetasit gjerman Janet Schafer, i cili ka rënë pre e mashtrimit për investime në kriptovaluta nëpërmjet telefonatave nga Shqipëria.

9,700 eurot që Schafer investoi më shpresën për t’i shumëfishuar nuk iu kthyen kurrë, por u transferuan në disa llogari në Lituani.

Teksa Prokuroria është në fazë verifikimesh dhe nuk i ka thyer ende përgjigje homologëve gjermanë, Euronews Albania sjell dëshminë e një ish-punonjëseje të zyrave Call Center, e cila tregon si funksionon skema e mashtrimit.

“Në fillim mëson në lidhje me bursat në faqet jo shqiptare dhe telefonon personat e huaj që janë regjistruar në një platformë online. I fton të investojnë, shumë prej tyre investojnë dhe supozohet që t’i kthesh fitimin, por kjo nuk ndodh, atyre nuk iu kthehen kurrë fitimet mbrapsht”, tregon ish-punonjësja.

Të rinjve që punësohen me një rrogë bazë rreth 500 euro, fillimisht u thuhet se do të punojnë për telemarketing.

“Fillimisht askush nuk e dinte se çfarë bëhej pas dyerve, pasi operatorët e thjeshtë nuk kanë shumë informacion, por kemi dëgjuar raste që arrijnë në shuma të frikshme, qindra mijëra euro”, thotë ajo.

Skema e mashtrimit po hetohet nga krimi ekonomiko-financiar dhe krimet kompjuterike.

Burime nga policia bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa mjedise të dyshuara për këtë aktivitet të paligjshëm por deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për këto skema mashtrimi.

Exit mobile version