Trajneri i Francës, Didier Deschamps nuk përjashton një rikthim në Juventus një ditë, pasi ende e ka mendjen tek ta dhe i përcjell ndeshjet e tyre.
Deschamps kaloi pesë sezone në Torino si lojtar, përpara se të merrte drejtimin e Bianconerëve në kohën e tyre në Serie B si trajner pas skandalit të Calciopolit.
Megjithatë, ai dha dorëheqjen në fund të sezonit edhe pse i inkuadroi në Serie A, pasi kjo erdhi pas disa mosmarrëveshjeve të shumta me bordin e Juventusit, por tani mendon se mund të rikthehet.
“Unë kam trajnuar tashmë Juventusin, edhe nëse ka qenë në kushte të veçanta në Serie B”, ka thënë fillimisht Deschamps për Gazzetta dello Sport kur u pyet nëse do të kthehej.
“Ishte një zgjedhje që unë bëra me zemrën time, për t’i dhënë klubit dhe familjes Agnelli atë që më dhanë mua si lojtar”.
“Tani unë jam trajneri i Francës dhe jam i lumtur për këtë”.
“Ne do të shohim më vonë, por unë gjithmonë i kushtoj vëmendje pak më shumë Juventusit”.
“Pastaj, nëse kthehem të stërvit jashtë vendit, do të ishte thelbësore që unë të flisja gjuhën lokale, ashtu siç bëra në Torino”, përfundoi francezi. /Telegrafi/