Kombëtarja e Francës do të futet në një tjetër kompeticion madhor si ndër favoritët kryesorë për ta fituar atë.
Njësoj si në Kampionatin Evropian të mbajtur para tre viteve apo në Kupën e Botës në vitin 2022, Franca është ndër favoritët kryesorë për ta fituar edhe Euro 2024.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka folur për Gazzeta dello Sport, ku ka komentuar lojtarët që vijnë në Kombëtaren franceze si Theo Hernandez, Olivier Giroud, Mike Maignan apo Marcus Thuram.
Deschamps ka thënë se Theo Hernandez e ka humbur entuziazmin te Milani dhe nuk është më ai i dy viteve më parë.
“Maignan u lëndua nga episodi në ndeshjen ndaj Udinese. Faktori mendor mund të ketë pasoja fizike, por viti i kaluar ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj se ka diçka për t’u shqetësuar. Theo Hernandez nuk e shoh me të njëjtin entuziazëm si në sezonin kur fitoi kampionatin”.
“Rabiot e di që ndjehet mirë në Torino, por është i lirë dhe ka shumë mundësi zgjedhjeje. E ka ai vetë në dorë të ardhmen”.
“Thuram pastaj vjen nga një sezon shumë pozitiv me Inter. Na ndihmon sepse mund të luaj në çdo pozicion në fazën ofensive, ka karakteristika të ndryshme nga Giroud”.
“Besoj se Thuram mund të jetë pasuesi i Giroud. Për momentin Giroud është shumë i rëndësishëm me eksperiencën e tij dhe për më tepër luan Evropianin e fundit”, u shpreh Deschamps. /Telegrafi/