Gazetari Ferdinand Dervishi ka zbuluar një detaj të rëndësishëm lidhur me çështjen e Ervis Martinajt.
Ai deklaroi se në momentin kur Martinaj është kapur, celulari i tij është hapur dhe është zbuluar se kishte një sasi të madhe parash të fshehura në kriptomonedha.
“Një detaj tjetër, por kjo është në bazë të informacioneve që më vijnë mua. Ervis Martinaj, në momentin që është kapur, i është hapur celulari dhe ka pasur një sasi shumë të madhe të hollash të fshehura në kriptomonedhë. Me një fjalë, pëshpëritet që ia kanë përvetësuar edhe këtë shumë të madhe. Nëse në Bitcoin do ishte 100 milionë euro para dy vjetësh, tani është bërë 400 milionë euro,” tha Dervishi.
Gazetari theksoi se krimi i organizuar në Shqipëri shpesh përdor kriptomonedhat për të fshehur pasuritë, por në përditshmëri operon kryesisht me para cash.
Duke iu referuar politikanëve, ai shtoi se ata priren të investojnë në bizhuteri luksoze sapo sigurojnë shuma të mëdha parash.
“Në dijeninë time, krimi e cilëson Shqipërinë si një vend ku një pjesë e madhe e pasurisë mbahet në kriptomonedha. Banda të vjetra, kryetarë bandash që kanë bërë lekë në Shqipëri, një sasi të madhe të lekëve e kanë në kriptovaluta”.
“Kjo e Çopjave ta jep që 10 milionë u kapën në kriptomonedha, 130 u kapën cash. E shikon distancën se ku është? Po në dijeninë time ata i mbajnë aty, nuk është se punojnë me to. Së shumti punojnë me cash. Politikanët nuk blejnë lingota, blejnë bizhuteri, pafund. U bie në dorë të themi 50 mijë euro dhe i bëjnë direkt bizhuteri të shtrenjta,” u shpreh Dervishi në Opinion.