Telegrafi

Deri në mars 2023 nëse nuk i vendos sanksione Rusisë, Holanda kërkon pezullimin e liberalizimit të vizave për Serbinë

Më 8 dhjetor, Parlamenti i Holandës miratoi një rezolutë që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave për Serbinë, nëse ajo nuk respekton politikën e vizave dhe të jashtme të Bashkimit Evropian.

Siç raporton European Western Balkans, propozimi ka marrë mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe deputetëve të opozitës. Ai u dorëzua nga dy deputetë të dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, Jeoren van Weinharden nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Sjord Sjordsma nga Partia Demokrate. Mirëpo, propozimi u mbështet edhe nga përfaqësuesi i opozitës, Partia Socialiste (PS), Jasper van Dijk.

Deputeti Jeoren van Weinharden ndau në Twitter se propozimi i mori mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit së Holandës, raporton nova.rs.

“Dhoma e Ulët mbështet propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiq nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Përfundimi i procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të bëhet një opsion. Ne nuk do të hezitojmë ta përdorim atë”, tha Van Weinharden.

Në sistemin institucional të Holandës, Parlamenti ka mandatin që t’i japë udhëzime qeverisë për zhvillimin e politikës së jashtme. Për shembull, kur Holanda bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, një nismë e tillë erdhi nga parlamenti.

Rezoluta e Parlamentit holandez bën thirrje për pezullimin e liberalizimit të vizave për Serbinë përmes mekanizmit të frenimit emergjent më së voni deri në mars të vitit 2023, “duke pasur parasysh se Serbia po minon gjithnjë e më shumë politikën e jashtme të BE-së për shkak të qëndrimit të saj dashamirës ndaj Rusisë dhe jo në përputhje me sanksionet e BE-së, por edhe mosharmonizimi i regjimit të vizave, prandaj gjatë vitit 2022 një numër i madh i migrantëve të parregullt kaluan në BE pikërisht përmes Serbisë”.

Sipas Traktatit të Lisbonës, në Bashkimin Evropian ekzistojnë dy lloje të kësaj procedure. Njëra që lidhet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe tjetra që zbatohet në fusha të tjera, si bashkëpunimi në luftën kundër krimit dhe sigurimet shoqërore. /Telegrafi/