Të shtunën luhet derbi i xhiros 31 në Ipko Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit që mund të përcaktojë fatin e skuadrave për titull.
Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” ka rëndësi të madhe pasi mund të përcaktojë fatin e skuadrave në garën për titull.
Ndërkohë, si asnjëherë më parë kjo sfidë do të gjykohet nga gjashtë gjyqtarë duke përfshirë edhe ata pas portave, raporton Gazetasheshi.com.
Me marrëveshje të dy klubeve, sfidën pritet ta gjykojë gjyqtari më i mirë në vend, Genc Nuza.
Ditë më parë drejtuesit e Llapit ishin deklaruar se do të kërkojnë gjyqtarë nga Serie A italiane, por më pas të dy klubet janë pajtuar për Nuzën që tashmë ka histori edhe në ndeshjet ndërkombëtare.
Gjithsesi, mbetet për t’u zyrtarizuar gjithçka nga FFK që sot (e enjte) pritet të dalë me delegimin zyrtar të gjyqtarëve.